Lapidari i Lladrovcëve

Krahas futbollit, gjithnjë është i dhënë edhe pas zhvillimeve politike në vend. Është shumë i lidhur me babanë, Ramiz Lladrovcin, të cilin e ndihmoi në fushatën parazgjedhore për kryetar të Drenasit. Nuk e pengoi fjalia e babait, që u bë hit gjithandej – “Forca bën fuqinë”. Por, ishte i irrituar nga paragjykimet. Sidoqoftë, ndihet krenar për familjen së cilës i përket, e cila i ka dhënë dy dëshmorë për pavarësi, gjeneralin Fehmi Lladrovcin dhe gruan e tij, Xhevën. Futbollisti i njohur, Lapidar Lladrovci, flet ndryshe ekskluzivisht për “Zërin”

Kohëve të fundit temë kryesore në Kosovë ishin Lladrovcët. Kryefamiljari i kësaj familjeje, Ramizi, ka qenë protagonist në zgjedhjet e parakohshme të Drenasit, të cilat më pas i fitoi. Deklaratat e tij në fazën parazgjedhore u komentuan jo pak nga publiku, disa në të mirë e disa në të keq.

E në botën e futbollit kur përmendet familja Lladrovci, të gjithëve u shkon mendja tek futbollisti mjaft cilësor kosovar, Lapidari. Futbollisti më i ri i Besës është parë mjaft aktiv gjatë fushatës parazgjedhore të babait të tij, ndërkohë që nuk ka munguar përkrahja as në rrjetet sociale.

Ndër thëniet që u bënë më së shumti hit ishte edhe ajo: “Forca e bën fuqinë”. Lapidari thotë se nuk u ndie aspak keq për shakatë që bënë bujë në rrjetet sociale për këtë thënie. Ai madje mburret me babanë e tij.

“Jo, nuk isha i befasuar se jeta publike i ka edhe këto. Por, mua më ka penguar paragjykimi i njerëzve që fare nuk e njohin as Drenicën, as Drenasin, as familjen Lladrovci, madje as babanë tim dhe ekspozoheshin si të gjithëdijshëm e analistë. Ne si familje nuk jemi marrë me thashetheme ndaj oponentëve politikë, e nuk kemi dhënë as një kafe për të ndërtuar thashetheme për të tjerët. Babai im kishte dhe ka vizion për ta ndryshuar Drenasin, i pëlqeu kjo ose jo analistëve”, ka thënë fillimisht qendërmbrojtësi kosovar për “Zërin”.

“Ka shumë rrethana që e sollën babanë tim në qendër të vëmendjes, mendoj se kjo nuk ishte me vullnetin e tij. Ne jemi një familje tradicionale me shumë miq. Sigurisht, për shkak të së kaluarës sonë krenare ka edhe përfolje pa kurrfarë baze, megjithatë, patëm më shumë angazhim të gjithë ne, që babai ynë, i cili është njeri shembullor, ta marrë edhe besimin e qytetarëve. Tash, të gjithë ne merremi me punët tona të veçanta”, ka vazhduar ai.

Ramizi, energji pozitive për sukseset e Lapidarit

Lapidar Lladrovci ishte njëri prej mbrojtësve më të mirë të futbollit kosovar viteve të fundit. Merita për këto suksese i jep edhe babait të tij, i cili i jep këshilla dhe është shtytës në suksesin e tij. Por nuk harron pa i përmendur as gjyshërit, që po ashtu i japin kurajë.

“Po, babai im më jep jo vetëm këshilla, por edhe energji për suksese të reja. Shpesh di të jetë edhe kritik për paraqitjet e mia si në ndeshje futbolli, ashtu edhe në shkollë. Patjetër se fjala e tij ka peshë dhe vlerë për mua. Shpresoj të mos e zhgënjej as nënën, as babanë tim. Respekti im është tejet i lartë edhe për gjyshin dhe gjyshen time që historia i ngarkoi me shumë tragjedi por iu bënë ballë me sukses. Futbolli është pjesë e jetës time dhe ata këtë e kanë çmuar. Edhe për këtë mirëkuptim i falënderoj”, tregon Lapidari.

Familje patriotësh

Siç dihet familja Lladrovci i ka dhënë shumë Kosovës. Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, xhaxhai dhe gruaja e xhaxhait të Lapidarit, e dhanë jetën për lirinë e vendit tonë. Pa dyshim, futbollisti kosovar ndihet krenar dhe i privilegjuar që është pjesë e kësaj familjeje, të cilën mundohet ta nderojë edhe ai dhe ta bëjë krenare me veprat e tij.

“Faleminderit për respektin që tregoni ju dhe populli ynë për familjen time. Pa dyshim se është nder, krenari dhe detyrim i madh. Kjo më bën ta shtoj modestinë, por edhe t’i ruaj si kujtime të përjetshme e të papërsëritshme ato përjetime. Prejse kam filluar të mbaj mend, në familjen tonë temë kryesore ka qenë çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë. Të rritesh në prehrin e të mëdhenjve, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, për mua është nder dhe krenari e papërshkrueshme”, kujton Lladrovci.

“Vetëm ata anëtarë të familjeve, miq, e bashkëveprimtarë të heronjve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund ta përshkruajnë ndjenjën e krenarisë, motivimit dhe energjisë që kanë rrezatuar heronjtë tanë, me disa nga të cilët kam pasur rastin të kaloj çaste dhe të jem pjesë e bisedave me tematikë gjithmonë të njëjtën, çlirimin e Kosovës, e të cilët tanimë janë heronj si: Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Bekim Berisha, Shaban Shala, etj”, shton ai.

Lapidari thotë se karakteri i tij është i lidhur ngushtë me të kaluarën e familjes së tij. Ai madje zbulon se vetë emrin Lapidar e ka nga xhaxhai Fehë, siç e quante ai.

Sakrificat, demonstratat, burgosjet, lufta, aq shumë ka dëgjuar dhe ka bashkëjetuar Lapidari me njerëz që e kanë organizuar dhe kanë bërë luftën, saqë i duket sikur ka marrë pjesë vetë në ato aksione e disa nga të cilat i sheh vetëm në ëndrra.

“E kaluara e familjes më ka kalitur shumë si njeri. Lidhja ime me Fehmiun dhe Xhevën më ka bërë mirënjohës për gjithë jetën për dëshmorët, invalidët dhe veteranët, që dhanë gjithçka që ne brezat e rinj të jetojmë në liri”, shprehet me krenari mbrojtësi nga Drenasi.

Futbolli

Lapidari tregon se lidhja me familjen pa dyshim që ka ndikuar edhe në karakterin e tij si sportist. Ai madje e tregon edhe një rast, i cili demonstron se edhe kur ka angazhime me klubin, nuk e harron asnjëherë familjen dhe historinë e saj. “Kur e kemi fituar kampionatin e parë me Feronikelin, duke u kthyer nga Prizreni kam kërkuar ta ndalojnë autobusin në Drenas, te Shkolla e Mesme Teknike, e cila e mban emrin e xhaxhait tim. Shkova te busti i xhaxhait, ia vendosa medaljen dhe e bëra një fotografi bashkë me kupën. Çaste të cilat nuk do t’i harroj asnjëherë”, thotë Lladrovci, i cili e përshkruan veten në fushë si një lojtar korrekt me kundërshtarët, të qetë kur e ka topin në këmbë, ndërsa kur është duke mbrojtur mundohet të jetë sa më i kujdesshëm dhe të mos shkaktojë shumë ndërhyrje të palejuara.

Momentin kur i ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm në Kosovë si kapiten me Feronikelin, thotë se nuk do ta harrojë asnjëherë. Vitin e fundit ka arritur ta fitojë edhe Kupën e Shqipërisë, titull ky shumë i lakmuar nga të gjithë futbollistët kosovarë dhe me vlerë të madhe. Lapidari tregon se ka sakrifikuar shumë tek KF Kukësi, ku ka luajtur shumë ndeshje edhe si i lënduar, por që thotë se e ktheu prapa në karrierë, sepse ishte në kulmin e tij, duke u kualifikuar në kompeticionet evropiane, ku nuk mundi të paraqitej shkaku i lëndimit, synim të cilin shpreson ta arrijë në të ardhmen e afërt.

“Ndërsa, synimi më i madh imi mbetet Kombëtarja Shqiptare apo Përfaqësuesja e Kosovës, e cila është ëndërr për çdo futbollist”, përfundoi Lladrovci junior.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë