Komuna e Skenderajt: “Ndalimi i Haradinajt nga Franca mike, i padrejtë dhe i pajustifikueshëm”
Kuvendi i Komunës së Skenderajt në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot në lidhje me arrestimin dhe mbajtjen e Ramush Haradinajt në Francë, pas diskutimeve për këtë çështje miratoi një deklaratë.
Në këtë deklaratë thuhet se kundërshtojnë arrestimin dhe mbajtjen padrejtësisht të Haradinajt në Francën mike, shkruan Indeksonline.
Kjo është deklarata e plotë:
Deklaratë
Ne anëtarët e Kuvendit komunal të Skenderajt, si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve të Skenderajt, pavarësisht përkatësisë politike, përmes kësaj Deklarate shprehim shqetësimin dhe kundërshtimin tonë në lidhje me arrestimin dhe mbajtjen e pa drejtë të z. Ramush Haradinaj nga institucionet e drejtësisë në Francë, me flatëarrest të lëshuara nga Serbia.
Vendimin për ndalim nga shteti mik Franca, e konsiderojmë të padrejtë dhe të pajustifikueshëm, pasi ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj i është nënshtruar procesit ndërkombëtar për krime lufte nga i cili, ai dhe bashkëluftëtarët e tij janë shpallur të pafajshëm.
Më këtë rast kërkojmë nga institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare që të punojnë seriozisht në drejtim të ndërprerjes së praktikave të tilla të ndjekjes së ish-komandantëve të UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj, si dhe në shfuqizimin e fletëarresteve të tilla të Serbisë, pasi është vërtetuar botërisht dhe nga institucionet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër.
Ne besojmë fuqishëm se lufta e UÇK-së dhe e z. Haradinaj ka qenë dhe do të mbetet e pastër, pavarësisht tendencave të vazhdueshme të Serbisë për kriminalizimin e saj. Ne çmojmë lartë kontributin e z. Haradinaj dhe familjes Haradinaj në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Urojmë që z. Ramush Haradinaj shumë shpejt t’i kthehet familjes dhe aktiviteteve të tij në shërbim të Republikës së Kosovës.