Pranvera pritet të jetë mjaft e nxehtë në Vala Superligën e Kosovës. Lufta për titull dhe mbetje në elitë është më interesante se asnjëherë më parë, derisa shumë skuadra kërkojnë të shpëtojnë sezonin varësisht nga objektivat që kanë.
Por, është një fakt tjetër që e bën edhe më interesant stinorin pranveror në elitën e futbollit kosovar, me ç’rast impianteve futbollistike i shtohet edhe një teren tjetër sintetik.
Krahas “Zahir Pajazitit” në Podujevë, “Përparim Thaçit” në Prizren, tani është shtuar edhe tereni ndihmës në Ferizaj, me ç’rast skuadra e këtij qyteti është e detyruar ti zhvillojë ndeshjet në këtë fushë, pasi Stadiumi “Ismet Shabani” është në rikonstruktim, shkruan Gazetasheshi.com.

Liria e Prizrenit ishte skuadra e parë që e promovoi terenin sintetik në elitën e futbollit kosovar. Vështirësitë për ta mirëmbajtur terenin me bari natyral, detyruan skuadrën e “Arpagjikëve” që të shtrojnë tapetin artificial.

Llapi vazhdoi trendin e terenit sintetik, duke vendosur që tapetin brenda “Zahir Pajaziti” ta shtrojë me bari artificial, pasi kushtet e rënduara vazhdimisht kishin sjellur telashe për këtë skuadër dhe skuadra tjera të Superligës.

Ferizaj është vetëm skuadra e rradhës që do zhvillojë të gjitha ndeshjet në shtëpi në fushën sintetike. Megjithëse do jetë e përkohshme “Ujqit” duhet ta zhvillojnë tashmë pjesën pranverore të kampionatit në terenin ndihmës të Ferizajt, pasi “Ismet Shabani” është në rikonstruktim e sipër.