Etrit Berisha dënohet me dy ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës së FIFA-s
Portieri i Kombëtares, Etrit Berisha ka marrë këtë pezullim për shkak të goditjes me kokë që i dha sulmuesit të Izraelit, Zahavit në ndeshjen e fundit që kuqezinjtë zhvilluan në “Elbasan Arena”.
Ndërkohë, edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është dënuar me 10 mijë franga për sjellje të gabuar të tifozëve shqiptarë në sfidën ndaj Izraelit.
“Federata Shqiptare e Futbollit sot është njohur me vendimet e marra nga Komisioni i Disiplinës në FIFA gjatë mbledhjes së datës 9 dhjetor. Lidhur me ndeshjen Shqipëri-Izrael, komisioni ka vendosur të dënojë FSHF-në me 10.000 franga zvicerane gjobë për sjellje të gabuar të tifozëve”, thuhet në deklaratën për shtyp të FSHF-së në internet.
“Gjithashtu, portieri Etrit Berisha, i cili u ndëshkua me karton të kuq gjatë kësaj ndeshjeje, është dënuar me 2 ndeshje pezullim dhe 5.000 franga zvicerane gjobë”, përfundon njoftimi i FSHF-së. /Express/
