Zyrtare: FFK ndryshon mënyrën e votimit për 11-shen e vitit

12 trajnerë të skuadrave të Vala Superligës do ta kenë nderin të zgjedhin 11-shen më të mirë të vitit 2016.

Mirëpo, për dallim prej herëve tjera, FFK kësaj radhe ka ndryshuar mënyrën e përzgjedhjes. Nëse në të kaluarën një trajner nuk ka pasur të drejtë t’i fusë në formacion futbollistët e tij, nga tash e tutje mund ta bëjë këtë.

“Meqenëse gjithçka do të jetë publike, atëherë nga tash trajnerët mund ta përfshijnë në formacion edhe ndonjë lojtar të ekipit të tyre. Le të jetë në ndërgjegjen e tyre se cila do të jetë përzgjedhja që do ta bëjnë. Jemi në një kohë ku profesionalizmi duhet të dalë në pah”, ka thënë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu për Gazetasheshi.com.

Ndaras nga 11-shja e vitit 2016, Komisioni i FFK-së për shpalljen e laureatëve do të zgjedhë futbollistin e vitit, epitet të cilin së fundmi e fitoi Enis Alushi.

Data se kur do të mbahet ceremonia e shpalljes së më të mirëve ende nuk është caktuar, por ajo do të ndodhë në janar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë