Serbia brenda nesh

imer-mushkolaj-oped-express_1480090089-9331029

Serbia po bashkëjeton me ne dhe po shtrihet brenda nesh. Ajo po bashkëqeveris në Kosovë. Sepse kështu kanë dashur këta që na udhëheqin. Ata që na kanë kthyer Serbinë brenda.

Federata Skitare e Kosovës nuk do t’i mbajë dy gara të planifikuara skijimi, pasi që serbët të cilët menaxhojnë shtigjet në Brezovicë kanë vënë si kusht kryesor që atje të mos shfaqen simbolet shtetërore të Kosovës. Paramendojeni, brenda Kosovës shtet, serbët vënë kushte të tilla dhe askush nga institucionet nuk ndërmerr asgjë. Thua se Brezovica është në Serbi dhe serbët mund të bëjnë çfarë të duan. Në fakt, ata ashtu edhe po veprojnë. Serbia po qeveris dhe bashkëqeveris në Kosovë dhe këtë ia ka lejuar klasa politike në pushtet. Me vetëdije dhe vullnet të plotë.

Sa e sa herë i kemi dëgjuar që nga presidenti e kryeministri, deri te ministrja përgjegjëse për dialog se strukturat paralele, që nënkuptojnë institucionet e Serbisë në Kosovë janë shuar dhe nuk funksionojnë. Një rrenë që vite me radhë iu shitet qytetarëve si e vërtetë. Institucionet e Serbisë funksionojnë brenda Kosovës dhe rasti i Brezovicës e tregon këtë më së miri. Po të ishte ndryshe, garat e skijimit do të mbaheshin pa problem e me paraqitjen e flamurit shtetëror dhe nuk do të pengoheshin nga struktura të Serbisë që ende, 17 vjet pas luftës, vazhdojnë të përfitojnë para nga menaxhimi i pasurisë së Kosovës. Përfitojnë dhe fyejnë shtetin e simbolet e shtetit. E askush nuk ndërmerr asgjë. Për më tepër, ministrja Edita Tahiri dhe shefat e saj pa fije turpi provojnë t’ua mbushin mendjen qytetarëve se strukturat e Serbisë në Kosovë janë shuar.

* * *

Përderisa vazhdojnë përpjekjet e paskrupullta të pushtetarëve për të shitur mjegull, Serbia bashkëqeveris në Kosovë. Nëpërmjet Listës Serbe, një subjekt i krijuar me bekimin e Beogradit, është arritur që të sabotohet shteti i Kosovës. Një subjekt politik që nuk e njeh Kosovën shtet dhe që punë të përditshme e ka dëmtimin e saj. Një subjekt politik që paguhet nga taksat e kosovarëve, por që punon kundër interesave të shtetit të Kosovës.

Të pretendosh se janë shuar strukturat paralele serbe, ndërkohë që të tillat janë pjesë e ekzekutivit kosovar, është veç përpjekje për mashtrimin e vetes dhe të qytetarëve që i udhëheq.

Me kushtëzimet e veta, Lista Serbe është duke bllokuar procese të rëndësishme. Isa Mustafa e Kadri Veseli bashkëqeverisin me njerëz, të cilët Beogradin, e jo Prishtinën e konsiderojnë kryeqytet te vetin. Njerëz të cilët fyejnë shtetin, pjesë e qeverisë të të cilit janë. Njerëz të cilët zbatojnë urdhrat e shefave në Beograd, e nuk i marrin parasysh ato të shefave në Prishtinë. Njerëz të cilët në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, vihen në anën e Serbisë.

 

* * *

Dialogu ndërmjnet Kosoëvs e Serbisë para pesë vjetësh ka nisur me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Por, realiteti është krejt tjetër – këto marrëdhënie nuk janë normalizuar, përkundrazi. Sot, pesë vjet pas, qasja e Beogradit nuk është më pozitive karshi shtetit të Kosovës. Sot, pesë vjet pas, më ndryshe nuk është as qasja e serbëve të Kosovës karshi pushtetit në Prishtinë. Këta serbë, në vend që të shkojnë drejt integrimit, vetëm sa janë barrikaduar edhe më shumë, duke refuzuar ta njohin shtetësinë dhe institucionet e vendit në të cilin jetojnë. Një pjesë të madhe të fajit për këtë e mbajnë pushtetarët kosovarë të cilët, me veprimet e tyre, kanë kontribuar që serbët të mos e shohin Kosovën shtet të vetin. Pse duhet ta shohin të tillë, kur Asociacioni…, kurdo që krijohet, ua mundëson një mënyrë të pavarur funksionimi? Pse duhet ta shohin të tillë, kur mund të flasin në telefon me të afërmit e tyre si të jenë në Serbi? Pse duhet ta shohin të tillë, kur sistemin e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe sfera të tjera i zhvillojnë sipas sistemit të Serbisë? Pse duhet ta shohin të tillë, kur askush nuk i pengon të jetojnë si të jenë në Serbi?

* * *

Një realitet aspak premtuese, pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur ndryshe. Pavarësisht deklaratave boshe, që ta fyejnë inteligjencën, se Serbia po na njeh e do të na njohë shpejt. Pavarësisht rrenave të tipit se Kosova paska fituar kod ndërkombëtar telefonik, kur bëhet fjalë për kod regjional. Pavarësisht rrenave se në Bruksel po arrihen marrëveshje ekskluzivisht në të mirë të Kosovës.

Edita Tahiri dhe shefa të saj janë shndërruar në mashtrues serikë të opinionit, duke provuar t’i bindin për gjëra, të cilat ashiqare shihet se nuk janë ashtu. Thua se njerëzit janë të marrë dhe nuk dinë të lexojnë. Thua se njerëzit janë të prirur t’iu besojnë verbërisht mashtrimeve të tyre.

Dhe, përderisa rrenat e mashtrimet vazhdojnë, Serbia seriozisht bashkëjeton me ne dhe shtrihet brenda nesh. Përderisa rrenat e mashtrimet vazhdojnë, vazhdon edhe bashkëqeverisja e Serbisë në Kosovë. Sepse kështu kanë dashur këta që na udhëheqin. Ata që na kanë kthyer Serbinë brenda.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë