PDK pro zgjedhjeve të parakohshme, LDK s’i do ato

Sadri Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Rexhep Hoti nga Partia Demokratike e Kosovës s’kanë qenë në një mendje kur kanë prezantuar qëndrimet e tyre, respektivisht të partive të tyre, derisa kanë folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Ferati ka thënë në Klan Kosova se s’është e nevojshme për të shkuar në zgjedhje pa u kryer mandati dhe punët e mbetura, kurse Hoti pohoi se për shkak të ngecjeve të qeverisë tema e zgjedhjeve është çështje në tavolinë.
“Koalicioni i tashëm nuk ka kurorë, por ka marrëveshje për një program të dakorduar dhe kemi shumë punë për të bërë. Nëse mbahen zgjedhjet çka pastaj? Çka do t’i themi edhe Demarkacionit, ushtrisë, e integrimeve dhe zhvillimit?”, ka thënë deputeti i LDK-së, Ferati, duke shtuar se “nuk duhet të futemi në zgjedhje të shpejta”.
Sipas tij, “prapa kërkesës për zgjedhje qëndrojnë motive politike, por këto motive duhet të qëndrojnë pas interesit të shtetit dhe qytetarëve”.
“Zgjedhjet duhet të ndodhin kur ka situata të jashtëzakonshme, gjë që nuk ka tani”, pohoi ai, njofton Klan Kosova.
Ndërsa Hoti, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë e Sportit tha se mbajtja e zgjedhjeve është në tavolinë.
“Mbajtja e zgjedhjeve është në tryezë, jo vetëm në mes të koalicionit, por edhe në opozitë, duke marrë parasysh që koalicioni ka ngecur për të kryer përgjegjësitë që i ka, ndonjëherë me faj tonin, ndonjëherë për faj të opozitës”, ka thënë ai.