Hesht Prokurori në kërkesën e Veselit për mbajtjen e Deharit në paraburgim
Pas arrestimit të gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje muaj më parë Prokuroria kishte vendosur tre nga gjashtë të arrestuarit nga Lëvizja Vetëvendosje mbi dyshimin për sulmin me bombë mbi Kuvendin e Kosovës t’u shqiptohet masa e arrestit shtëpiak.
Në arrest shtëpiak ishin vendosur të qëndronin: Adea Batusha, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi.
Ndërkohë tre të arrestuarve tjerë Atdhe Arifit, Astrit Deharit dhe Egzon Halitit i’u ishte shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ndërkaq ishte pikërisht Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili sot ka parashtruar pyetjen se si ishte mundur nga sistemi i drejtësisë që të linin njërin nga ta në burg ndërsa të tjerët në shtëpi.
“Pse djali i një veprimtari është mbajtur në burg, deri sa tre persona të tjerë kanë qenë jashtë burgut ani pse akuzoheshin për vepër të njëjtë, terrorizëm”, ka thënë Veseli.
Kurse vetë personi që mori këtë vendim pra prokurori Abdurrahman Islami është përgjigjur për Indeksonline, se kjo çështje nuk është ajo çfarë ai duhet të komentojë.
“Nuk jam i njoftuar për këto sene edhe s’kam çka komentoj në këtë drejtim”, ka thënë Islami i pyetur në lidhje me deklaratën e kreut të Kuvendit gjatë ditës së sotme.
Gjithashtu Islami ka shtuar se “Nuk merrna me këto sene”. Duhet përkujtuar që Islami është pikërisht prokurori që mori këtë vendim, dhe i cili sigurisht që duhet të merret me këtë çështje, por si duket ky i fundit ka zgjedhur që të heshtë në lidhje me vendimin e marrë muaj më parë.
Astrit Dehari i cili dyshohej për sulmin e drejtuar në objektin e Kosovës, vdiq me 5 nëntor në burgun e Prizrenit si një ndër të dyshuarit në këtë rast.
Vdekja e Deharit mbetet ende nën hetime e sipër nga institucionet e vendit edhe pse kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë ishte që të merreshin edhe të huajt me këtë hetim, gjë kjo tashmë e refuzuar./Indeksonline/