39 vjeçari nga Drenasi që iu mbijetoi 52 plagëve të luftës – historia e pabesueshme e shpëtimit

Video nga Albanianpost.com
Krisma e minës dhe asgjë tjetër e asaj dite nuk i kujtohet.
Madje, as sot nuk do e dinte se çka ndodhi, po të mos ishin 52 plagët të cilat i morri pas shpërthimit në minë, të cilat i kishin vendosur forcat paramilitare serbe, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitet 1998-99.
Burim Hoxha tani 39 vjeçar, nga Krajkova e Drenasit, gjatë gjithë luftës barte bukë për pjesëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ishte vetëm 17 vjeç kur i kishte dhënë vetes detyrimin, nëse jo ushtarë, atëherë patjetër krah tyre.
Një ditë shtatori, ai bashkë me disa shokë, morri udhët e malit për të parë familjen e tij të strehuar në shkurre, të cilët për më shumë se 3 javë kishin lënë shtëpitë e tyre nga frika se mund të digjeshin bashkë me to, nga lufta e pamëshirshme që po bënin ushtarët serb.
Rrugës, të cilën kishte zgjedhur ta bënte natën për të mos rënë në sy të serbëve, ra në minë dhe shokët që i shpëtuan këtij shpërthimi e dërguan në spitalin ushtarak të njësisë speciale të UÇK-së, të vendosur në fshatin Berishë.
Mjekët që po shëronin plagët e ushtarëve atje, i shpëtuan jetën dhe sot ai është i gjallë, me 52 grimca metali akoma në trup.
/Albanianpost.com