Dr. Ermali është nga Drenica por jeton në Suedi, i gatshëm të ofrojë ekspertizën e tij të çmuar edhe në vendlindje

Ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkendine Geci- Sherifi ka pritur në ambasadë të riun nga Abria e Skenderajt, Dr. Ermal Hetemin për të biseduar rreth mundësive të bashkëpunimit akademik mes Kosovës dhe Suedisë.
Ermali është Ligjerues dhe Hulumtues shkencor në Departamentin e Ekonomisë dhe Menaxhimit Industrial në Institutin Mbretëror të Teknologjisë KTH në Stokholm (Suedi). Ai ka doktoraturë në fushën e Ekonomisë Industriale dhe Menaxhimit nga Instituti Mbretëror i Teknologjisë KTH, dhe Universidad Politécnica de Madrid (Spanjë), dhe MSc. në Menaxhimin e Ndërtimit nga Universiteti i Miçiganit Lindor (Shtetet e Bashkuara).
Interesi i tij kryesor kërkimor fokusohet rreth menaxhimit të projekteve, inxhinierisë dhe administrimit të biznesit.
Hulumtimi i tij u vlerësua me disa çmime, përfshirë çmimin PMI Donald S. Barrie në 2015 nga PMI USA.
Ai ka rreth dhjetë vjet përvojë në menaxhimin e projekteve, përfshirë si ligjërues për programin bachelor dhe master në menaxhimin e projekteve dhe si konsulent.
Dr. Ermali është i gatshëm të ofrojë ekspertizën e tij të çmuar edhe në vendlindje.