Vëllaznimi e eliminon Dritën nga Kupa e Kosovës

Vëllaznimi ka shkaktuar befasinë në Digitalb Kupën e Kosovës duke e mposhtur Dritën 1-0, për ta siguruar një vend në gjysmëfinale të garës.

Vëllaznimi është gjysmëfinalisti i dytë i Digitalb Kupës së Kosovës, pas Feronikelit, pasi të dielën e mundi 1-0 kampionen e Kosovës Dritën në Stadiumin e Qytetit në Gjakovë.

Skuadrës së Ismet Munishit, e cila bën gara në Ligën e Parë – nivelin e dytë të futbollit kosovar – i mjaftoi goli i vetëm i Tun Bardhokut për ta siguruar një vend në gjysmëfinale të Kupës, derisa e eliminoi kampionen e Ipko Superligës.

Pas një superaksioni të gjakovarëve, Bardhoku shënoi për 1-0 në minutën e 42-të, falë asistit nga Almedin Murati.

Klubi nga Gjilani bëri përpjekje të vazhdueshme për ta gjetur golin e barazimit, më së shpeshti përmes Xhevdet Shabanit, por pa sukses.

Dhjetë minuta para fundit, trajneri Ismet Munishi u përjashtua nga loja dhe u dërgua në tribuna për shkak të protestave të vazhdueshme.

Por, as nëntë minuta lojë nuk i mjaftuan vizitorëve nga Gjilani për ta barazuar rezultatin. Kështu kampionia e Kosovës eliminohet në çerekfinale, ndërsa Vëllaznimi kalon në gjysmëfinale.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë