Futbollisti kosovar i Zurichut e ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij tek Përfaqësuesja e Kosovës, i cili së fundmi u transferua në Basel
Hekuran Kryeziu ka dhënë fjalë të mëdha për Edon Zhegrovën, shkruan Gazeta Express.
Futbollisti i Zurichut thotë se përforcimi i ri i Baselit ka potencial të madh.
Së fundmi, Zhegrova u largua nga Genku për t’u huazuar për 18 muaj tek klubi i madh zviceran, i cili e ka opsionin e blerjes definitive.
“Unë e njoh atë qe një vit e gjysmë nga ekipi kombëtar. dhe, jam mjaft i nderuar që ai luan për Kosovën dhe që tash është në Basel, ku erdhi nga Belgjika”, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, për një futbollist që lind dhe rritet në Kosovë është mjaft e vështirë të depërtojë në futbollin evropian.
“Vetëm talentët më të mëdhenj mund ta bëjnë këtë”, u shpreh tutje mesfushori kosovar.
Kryeziu e ka përshkruar edhe lojën e Zhegrovës.
“Ai është mjaft i talentuar, i shpejtë me topin, i shkathtë dhe driblues. ai ka teknikë të fortë dhe një të majtë të fuqishme”, zbulon mesfushori i Zurichut.
“Ai ka potencial të madh dhe mendoj se e ka një karakter mjaft të fortë”, shprehet tutje Kryeziu.
Ai nënvizon se fakti që në Basel luajnë edhe dy shqiptarë, Taulant Xhaka e Albian Ajeti do ta ndihmojë Zhegrovën të ambientohet më lehtë në klubin helvetik.
“Ata sigurisht se do t’ia bëjnë ambientimin më të lehtë dhe po ashtu do ta ndihmojnë në fushën e blertë”, përfundoi Kryeziu.