Valverde tregon nëse Messi do të luajë apo jo nesër në El Clasico

Trajneri i Barçës ka vendosur ta shtyjë për sonte më vonë vendimin për ta përfshirë apo jo Messin në listën e skuadrës që do të përballët me Real Madridin të mërkurën. Ai ka thënë se nuk dëshiron të rrezikojë nëse ekziston rreziku i lëndimit.

Ernesto Valverde foli sot në një konferencë për media para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit kundër Real Madridit, e cila do të zhvillohet nesër në orën 21:00 në Camp Nou, transmeton Gazeta Express.

Nuk ka qenë e mundur të dihet nëse Messi do të jetë i gatshëm për nesër, para seancës së sotme stërvitore të Barcelonës, që nisi në orën 18:00.

“Nuk e kam parë ende Messin, prandaj të gjitha pyetjet rreth tij nuk kanë përgjigje. E kemi edhe një seancë stërvitore dhe do ta shohim sesi ndihet ai dhe nëse është në gjendje ta kompletojë seancën. Pastaj do të vendosim”, tha Valverde.

Messi e mori një goditje të rëndë në kofshën e këmbës së djathtë në barazimin 2-2 të Barcelonës ndaj Valencias të dielën në La Liga.

Por, Valverde ka këmbëngulur se nuk dëshiron të rrezikojë nëse ekziston rreziku për lëndime.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë