Drenas: Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi se kishe goditur këmbësorin me kamion

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Drenas, në seancën e shqyrtimit fillestar e ka dënuar me 240 euro gjobë të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Arton Rashiti.

Ai gjithashtu u ngarkua me taksën e Programit të Kompensimit të Viktimave të Krimit në shumë prej 30 euro dhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 80.88 euro.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Shefqet Baleci, pasi i akuzuari paraprakisht pranoi fajësinë lidhur me veprën e cila i ngarkohej, raporton “ Betim për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurorja Nebahate Salihu, duke propozuar që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit gjykatësi Baleci, tha se ka marr parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë, pendimi, kërkim falja dhe premtimi që në të ardhmen nuk do të kryej vepër penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë kundër Arton Rashiti, të cilin e ngarkon se me 29 shtator 2018, rreth orës 20:00, në rrugën “Ilaz Kodra”, saktësisht përball restorant “Lumi” në Drenas, duke e drejtuar automjetin e tipit  kamion “Skoda Fabio”, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me nenin 53,146dhe 231 të Ligjit mbi Rregullat e Trafikut Rrugor.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Rashiti ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve, ashtu që nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të krijuara në komunikacion, duke mos i respektuar shenjat e trafikut të vendosura në rrugë.

Tutje, në aktakuzë thuhet që i pandehuri Rashiti, nuk i ka dhënë përparësi kalimi këmbësorit Emin Bajraktari, i cili ishte duke e kaluar rrugën nga ana e djathtë  në anën e majtë, më ç`rast ngasësi i automjetit kamion “Skoda Fabio” me pjesën e parë, ana e djathtë e godet këmbësorin Emin Bajraktari dhe i shkakton lëndime të lehta trupore.

Me këtë ngarkohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378 parag. 6 lidhur me parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./raporton “ Betim për Drejtësi”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë