Foreign Affairs: Për paqe në Ballkan – “Shqipëria Madhe”, “Serbia e Madhe” dhe “Kroacia e Madhe”

Revista e shquar amerikane “Foreign Policy” botoi një analizë të situatës politike në territorin e ish Jugosllavisë, nga Timothy Less.
Ai në analizë propozon rishikimin e kufijve, dhe madje edhe krijimin e Shqipërisë së Madhe, Serbisë së Madhe, dhe Kroacisë së madhe, të gjitha për hir të paqes.
Është koha, thotë Less, për një qasje të re, radikale me qëllim të ruajtjes së paqes dhe për të krijuar stabilitet në rajonin e Ballkanit.
Nëse, thotë ai, Perëndimi, siç pretendon, është me të vërtetë besnik në objektivin e ruajtjes së paqes në Ballkan, tani është koha për të vënë pragmatizmin para idealizmit, që shkon në drejtim të realizimit të idesë së shteteve të rregulluara kombëtare, popullatat e të cilave do të jenë në gjendje për të përmbushur interesat e tyre më themelore politike.
Së pari, për shkak të ndarjes së Evropës, Shtetet e Bashkuara duhet edhe një herë të marrin një rol drejtues dhe të mbështesin fragmentimin e brendshëm të shteteve multietnike sipas parimit që kërkohet nga pakicat.
Në periudhën e parë, Washington duhet të pranojë ofertën e shqiptarëve për federalizimin e Maqedonisë dhe kërkesën e Kroacisë për krijimin e një njësie të tretë në Bosnjë, beson Less.
Në afat më të gjatë, të dytin, shton ai, Shtetet e Bashkuara duhet të mundësojnë këto territore që në të ardhmen të kenë lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me fqinjët e tyre më të mëdhenj, me aplikimin e shtetësisë së dyfishtë dhe krijimin e institucioneve të përbashkëta, duke mbetur formalisht pjesë të vendit në të cilin ata janë tani.
Dhe, në periudhën e tretë, të fundit, duhet të lejojnë shkëputjen e këtyre territoreve të shteteve ekzistuese dhe të lidhen me vendet e tyre, ndoshta fillimisht si një rajon autonom.
“Entiteti kroat” në Bosnjë dhe Hercegovinë, sipas Less, do të bashkohej me Kroacinë, Republika Serbe dhe veriu i Kosovës me Serbinë; Lugina e Preshevës, Maqedonia perëndimore dhe pjesa më e madhe e Kosovës me Shqipërinë.
Ndërkohë, Mali i Zi, i cili mund të humbë enklavat shqiptare mund të mbetet i pavarur apo të bashkohet me një Serbi të zgjeruar.
Në realizimin e këtij plani, siç thotë, SHBA nuk do të kenë principe të reja. Këto sugjerime mund shokojnë ata që mbrojnë multietincitetin, për shkak se multietniciteti është një ide e mirë, por e paarritshme, thotë autori.
Kjo zgjidhje është e komplikuar, thotë Less, duke shtuar se, megjithatë, ndarja në vend të bashkëjetesës së detyruar eliminon rrezikun e një konflikti të ri. Më në fund, tha ai, Shtetet e Bashkuara duhet të përfundojnë punën që e filluan në Ballkan.