Lajm i mirë për Komunën e Drenasit

Komuna e Drenasit është shpallur fituese e thirrjes “Avancimi i Tranzicionit të Energjisë Komunale”, e mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB).
Ky është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit të energjisë dhe promovimit të burimeve të rinovueshme, përmes investimeve në infrastrukturën shkollore të komunës.
Në kuadër të këtij projekti, janë përzgjedhur për investim tri shkolla:
Shkolla “Fehmi Lladrovci” Shkolla “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Shkolla “Halil Bajraktari”
Fondacioni do të financojë investimet në shkollat “Fehmi Lladrovci” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa Komuna e Drenasit do të mbulojë investimin për shkollën “Halil Bajraktari”.
Këto investime do të mundësojnë instalimin e paneleve solare, uljen e konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e kushteve për edukimin e gjeneratave të reja në një ambient më të qëndrueshëm.
Në hapat e ardhshëm, një ekspert teknik do të bëjë vlerësimin e ndërtesave dhe do të përgatisë projektet përkatëse, në mënyrë që të përcaktohet saktë vlera e investimeve.
Komuna e Drenasit falënderon Fondacionet e Shoqërisë së Hapur për mbështetjen, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë iniciativë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.