Qytetarët e Drenasit kanë besë, Abelard! 12 Tetori vjen me 101 të mira

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të kundërshtarëve politikë për të ndikuar në procesin zgjedhor, duke theksuar se qytetarët e Drenasit kanë besë dhe nuk mashtrohen lehtë.

“Qytetarët e Drenasit kanë besë, Abelard! Përpjekje të kota për ta ndalur fitoren ‘Për Drenasin Kampion’. Merrni frymë thellë e pini ujë të ftohtë – mashtrimet me poste e favore po marrin fund, 12 tetori erdhi me 101 të mira”, ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka shtuar se fushatat që bazohen në premtime boshe nuk kanë vend në Drenas, duke ironizuar me kundërshtarët politikë: “Në fushata me numra të përkohshëm jepni premtime si babadimri, por sapo përfundojnë ato, vjen mesazhi ‘numri që keni kërkuar nuk ekziston’. Nuk e kam besuar se bini kaq poshtë, por ju e dini pse meritoni të jeni kaq poshtë.”

Lladrovci ka theksuar se lista e kandidatëve për Kuvendin Komunal “Për Drenasin Kampion” përbëhet nga persona me integritet, dinjitet dhe vlera profesionale e atdhetare, duke u shprehur se qytetarët e Drenasit “as shiten, as blihen”.

“Deri sonte jam vënë në dijeni për tentimin e shtatë për të thyer asamblistë, pa sukses. Në kalanë e Drenasit, në bastionin kampion, nuk mund të grabitni, sepse këtu ka rregulla morale, patriotike dhe të besës”, ka shtuar ai.

Në fund, kryetari Lladrovci ka theksuar se rrugëtimi i fitores është i pandalshëm:
“101 arsye ‘Për Drenasin Kampion’ – vazhdojmë edhe katër!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë