Edhe kryetari i Lezhës në mbështetje të Ramiz Lladrovcit: “Panikun kundërshtarët e shndërrojnë në shantazh”

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i ka dalë publikisht në mbështetje kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas publikimit të audio-incizimit të cilin ai e cilëson si të montuar dhe me qëllim shantazhi gjatë kohës së fushatës zgjedhore.
Ndreu e ka quajtur këtë një “lojë të pisët në kushte të pamundësisë së ideve e alternativave”, duke theksuar se Lladrovci përfaqëson me dinjitet banorët e Drenasit, transmeton DrenicaOnline.
“Vazhdo para miku im! Paniku i çon kundërshtarët në humbje të logjikës dhe në prodhimin e gjërave të pamoralshme! Siç të njoh unë, ti përfaqëson denjësisht banorët e Drenasit! Argumenti se unë jam i partisë, ka kundërargumentin se unë jam i punës! Njerëzit dinë të bëjnë dallimin! Suksese!”, ka shkruar Ndreu.
Ky reagim i kreut të Bashkisë së Lezhës vjen në një moment të ndjeshëm elektoral, ku çështja e incizimeve ka ndezur debat të madh publik në Drenas./DrenicaOnline/