Haradinaj viziton Drenasin dhe Skenderajn: Komunat e udhëhequra nga Aleanca janë shembull i performancës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka vizituar sot Drenasin dhe Skenderajn, ku u takua me qytetarë dhe strukturat e Aleancës.
Në Drenas, Haradinaj u shpreh i bindur se kandidati i AAK-së për kryetar, Beqir Kiqina, bashkë me ekipin e tij, sjell frymë, vullnet e përkushtim për ta çuar përpara vizionin “Dritë për Drenasin”. Ai potencoi se përkrahja e bizneseve të vogla e të mesme, zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm e kanalizimit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik janë shtylla të forta të programit të Aleancës. “Parku i Biznesit në Drenas është dëshmi e vizionit tonë për zhvillim”, tha Haradinaj.
Në Skenderaj, kryetari i AAK-së theksoi se lista e udhëhequr nga Feriz Shala, profesionist dhe aktivist i hershëm i Aleancës, përfaqëson qasjen ndryshe të AAK-së për një Asamble ku interesi qytetar vihet mbi gjithçka.
Haradinaj ritheksoi se vizioni “Dritë për Komunat” nuk është vetëm slogan, por model qeverisjeje të dëshmuar kudo që AAK ka udhëhequr, me komuna që dallohen për performancë dhe rezultate konkrete.