Lladrovci dhe KRU “Prishtina” përurojnë furnizimin me ujë të pijshëm në Vërboc dhe Shtuticë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me nënkryetarin Arben Shala dhe bashkëpunëtorë, ka pritur sot në takim kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë.
Gjatë takimit, Lladrovci informoi Fetahun për sfidat dhe pengesat me të cilat është përballur komuna në përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit, si dhe për investimet e realizuara deri më tani. Nga ana e tij, kryeshefi Fetahu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me komunën, me qëllim përfundimin me sukses të projekteve ekzistuese dhe sigurimin e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm në zonat e shtrira tashmë nga rrjeti.
Pas takimit, nënkryetari Shala dhe kryeshefi Fetahu vizituan fshatrat Vërboc dhe Shtuticë, ku përuruan zyrtarisht fillimin e furnizimit me ujë të pijshëm.
Komuna dhe KRU “Prishtina” i bëjnë thirrje të gjitha familjeve në këto fshatra që të përfundojnë procedurat për regjistrim dhe nënshkrimin e kontratave për shfrytëzimin e shërbimeve të ujësjellësit. Në të kundërt, kompania nuk do të jetë në gjendje të operojë në kushte të qëndrueshme financiare, gjë që mund të sjellë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.
Pas përfundimit të testimeve dhe eliminimit të defekteve në rrjet, kompania është angazhuar të fillojë furnizimin me ujë të pijshëm edhe në fshatrat Terstenik dhe Pollzhë, ndërsa është parashikuar vlerësim i gjendjes së rrjetit edhe në fshatin Krajkovë.
Punimet për zgjerimin e rrjetit dhe sigurimin e ujit të pijshëm vazhdojnë edhe në disa vendbanime të tjera të komunës. Ky bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Komunës së Drenasit dhe KRU “Prishtina” synon që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë dhe të qëndrueshme në ujë të sigurt për pije.