Sokol Bashota prezanton ekipin për Asamblenë Komunale të Klinës: Personalitete të njohura në garë për zhvillimin e qytetit

Kandidati për kryetar të Klinës, Sokol Bashota, ka nisur prezantimin e kandidatëve për Asamblenë Komunale, duke theksuar se në këtë garë janë përfshirë personalitete të njohura nga fusha të ndryshme, të cilët do të japin kontribut të çmuar për të ardhmen e komunës, transmeton portali DrenicaOnline.
Bashota u shpreh se besimi i dhënë nga strukturat e partisë është një përgjegjësi dhe obligim për të vazhduar punën e tij me përkushtim në shërbim të qytetarëve.
“Jam i vendosur që, me përkrahjen tuaj, do të vazhdojmë bashkë rrugën e ndërtimit të një Klinë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më pranë qytetarit. Do të punoj çdo ditë për të garantuar mirëqenie, zhvillim dhe dinjitet për secilin qytetar”, deklaroi Bashota.
Ai theksoi se përvoja e tij në drejtimin e komunës është garanci për rezultate konkrete, ndërsa ekipi i tij për Asamblenë do të jetë zëri i qytetarëve në çdo fushë të jetës./DrenicaOnline/