Kryesia e PDK-së nuk përfaqëson më Drenasin është kapur nga profiterët që keqpërdorin emrin e luftës

Shkruan: Astrit Gashi (gazetar)
E njoh Drenasin më mirë se shumica që sot thirren në emrin e tij. Kam qenë pjesë e të gjitha proceseve kyçe në këtë trevë qysh prej kohëve të para të organizimit politik lokal,në protestat studentore në luftën e lavdishme edhe pas lufte kur Drenasi përfaqësonte vullnetin e pastër të popullit dhe të dëshmorëve, e jo interesat e klaneve. Jam krenar që isha themeluesi faqes së parë zyrtare të një komune me simbolin e shqiponjës dykrenare një akt që atëbotë s’ishte thjesht teknologji, por vetëdije kombëtare dhe dinjitet institucional.
Që nga ajo kohë, i kam ndjekur të gjitha proceset politike dhe organizative të PDK-së në Drenas. Por nuk kam dashur kurrë të jem pjesë e një politike që nuk përfaqëson strukturën reale të kësaj treve. Kam zgjedhur të qëndroj qytetar i lirë dhe kritik, sepse nuk mund të hesht kur parimet shkelen, e lufta për liri keqpërdoret për pushtet dhe përfitim. Si pasojë e ketyre dukurive sot Drenicen po e braktisë rinia me e paster e kombit.!
Sot, mbi 80% e kryesisë aktuale të PDK-së përbëhet nga individë që nuk kanë as lidhje me bazën, as me sakrificën e Drenicës. Ata janë profiterë të përkohshëm që e përdorin partinë si instrument për karrierë, ndërsa emrin e luftës si mburojë morale për interesat e tyre të ulëta.
Që nga viti 2007, PDK nuk ka pasur më një strukturë të mirëfilltë në Drenas. Largimi i Gani Sylës nga skena politike për arsye që lidhen me interesa të ngushta të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit ishte një pikë kthese që e shkatërroi përfaqësimin real të kësaj treve. Prej atëherë, PDK në Drenas është degraduar në emërime të kontrolluara nga qendra dhe të orientuara vetëm nga interesa personale.
Unë nuk jam kundër partive, por kundër uzurpimit të vlerave. Dhe si qytetar i kësaj treve, do të vazhdoj të luftoj çdo përpjekje për ta shtrembëruar idealin e luftës dhe për ta përdorur Drenicën si mbulesë për ambicie private.
Drenasi nuk është pronë, është amanet. Dhe ky amanet nuk do të mbrohet nga ata që e përdhosin për një post apo tender, por nga ata që e ndiejnë si pjesë të gjakut dhe ndërgjegjes. Ju njohim të gjithvë!