Refuzohet sërish lirimi i ish-krerëve UÇK-së

Refuzohet sërish lirimi i përkohshëm për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas Jakup Krasniqit, edhe Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit u është vazhduar masa e paraburgimit për nga dy muaj. Vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara në Hagë vjen kinse rreth shqetësimeve për pengim të drejtësisë dhe ndikim mbi dëshmitarët.
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka refuzuar kërkesat për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit derisa ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për Hashim Thaçin, pasi Thaçi nuk ka bërë kërkesë për lirim të përkohshëm.
Refuzimin për lirim të përkohshëm, ai trup gjykues e ka bazuar në vlerësimin e rreziqeve që sipas tij lidhet me ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e procedurave gjyqësore.
Në vendim thuhet se, ndonëse mungojnë informacione që do të dëshmonin rrezikun për arratisje, mbetet shqetësimi se të pandehurit mund të përdorin pozitat e tyre për të ndërhyrë në procesin gjyqësor, përfshirë edhe përmes ndikimit ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë ose do të japin dëshmi kundër tyre.
Avokati, Ardian Bajraktari e konsideron jo të drejtë refuzimin e Speciales për lirim të përkohshëm për ish krerët e UÇK-së. Bajraktari vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore që kjo masë të zëvendësohet me një masë më të butë.
“E kanë dëshmuar se janë të gatshëm të i përgjigjen çfarëdo ftese, çfarëdo thirrje nga ana e Dhomave të Specializuara dhe aq më tepër kur kemi parasysh faktin që tashmë ka përfunduar së dëgjuari lista e dëshmitarëve të ftuar nga ana e Prokurorisë”.
“Prandaj mos aprovimi i kërkesës së palës mbrojtëse për bindjen time është një vendim i marrë në mënyrë paragjykuese dhe për më tepër nuk ka bazë e as mbështetje, as në ligj e as në prova konkrete e as në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikë e cila është e zbatuar edhe në sistemin tonë të drejtësisë përfshirë edhe Gjykatën Speciale”, thotë Bajraktari.