Vllasi për 21 dështimet në kuvend: Fajin e madh e ka VV-ja, po bën hajgare me popullin

Këtë të diel ka dështuar përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Albulena Haxhiu ka dështuar përsëri të marrë besimin e deputetëve shumicë për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi thotë se kjo do të ketë pasoja të mëdha për vendin.
“Kjo që po ndodh në parlament lidhur me votime të dështuara për kryetar është hajgare me popullin dhe shtetin me pasoja të rënda. Është pasojë e kokëfortësisë dhe inateve të dyja formacioneve parlamentare, por më shumë e LVV-së që ka drejt të propozojë kandidatin për kryetar”, ka thënë Vllasi për IndeksOnlinen.
Sipas tij, pasojat e kësaj gjendjeje, si në jetën e brendshme ashtu edhe në pozitën ndërkombtare të shtetit janë të mëdha.
“Nuk është fare e qartë pse LVV-ja insiston në kandidaten që nuk po i mer votat. Nëse deputetët e partive të tjera janë deklaruar se një kandidat tjetër do ta votonin, atëherë është e pakuptushme pse insistohet në këtë që nuk ka shans të kalojë. Nuk është e qartë pse mos të zgjidhet kryetar kuvendi sërish Glauk Konjufca i cili mirë e ka kryesua kuvendin në mandatin e kaluar apo Mimoza Kusari”, theksoi Vllasi.
“Pata propozuar që qytetarët-votuesit në masë t’i bllokojnë të dyja hyrjet e Kuvendit, kuptohet, në mënyrë paçsore, dhe mos t’i lejojn të dalin nga aty derisa ta zgjedhin Kryetarin. Poashtu, me një aftat të caktuar edhe deri të zgjedhet Qeveria. Por, nëse vazhdojnë kështu, kjo do të ndodhë”, shtoi ai.
Seanca konstituive do të vazhdojë të martën e 27 majit.