Ndodh në Fushticë: Godet veturën e viktimave, më pas i sulmon fizikisht

Një ngjarje e rëndë është regjistruar dje në orët e hershme të mëngjesit, në Fushticë e Poshtme të Drenasit, kur një person ka shkaktuar një aksident të rëndë rrugor dhe më pas ka sulmuar fizikisht viktimat.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari mashkull kosovar, me veturën e tij, fillimisht ka goditur një automjet tjetër në të cilin ndodheshin dy meshkuj dhe një femër.
Si pasojë e goditjes, vetura e viktimave ka dalë nga rruga. Pas aksidentit, i dyshuari ka vazhduar duke i goditur fizikisht personat e përfshirë, duke u shkaktuar lëndime trupore.
Viktimat janë dërguar menjëherë për tretman mjekësor, ndërsa policia ka arrestuar të dyshuarin në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje.
Hetimet lidhur me këtë rast të rëndë po vazhdojnë, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe vetëpërmbajtje në rrugë pasi një rast i tillë ndodhi edhe në Komoran.