Përfundon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: 90,860 aplikime të aprovuara, 18,244 në shqyrtim
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se periudha 120-ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar.
Sipas të dhënave preliminare, nga periudha 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues nga jashtë vendit ka arritur në 90,860, ndërsa 18,244 aplikime janë ende në proces të shqyrtimit.
Elezi bëri të ditur se shqyrtimi i aplikimeve do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte. Ai premtoi që së shpejti do të publikohet një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe shteteve ku jetojnë.
KQZ mbetet e përkushtuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent për të gjithë votuesit jashtë vendit.