Bekim Haxhiu: Qytetarët i besuan një mashtruesi si Kurti, tani duhet ta mbështesin një profesionist si Hamza

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka deklaruar se partia e tij është e bindur në fitoren e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Në një intervistë për Ekonomia Online, Haxhiu vlerësoi se vetëm me një kryeministër si Bedri Hamza, Kosova mund të avancojë në arenën ndërkombëtare dhe të sigurojë mirëqenie për qytetarët.

“PDK-ja po garon me një kandidat të dëshmuar për kryeministër si Bedri Hamza, i cili ka një platformë qeverisëse të ndërtuar mbi zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve,” tha Haxhiu.

Ai kritikoi ashpër qeverisjen aktuale të Albin Kurtit, duke e cilësuar atë si keqqeverisje që ka sjellë sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës. “Nëse qytetarët i kanë besuar një mashtruesi si Kurti, atëherë sigurisht se do ta mbështesin një profesionist dhe një njeri të ndershëm si Bedri Hamza,” shtoi ai.

“Kosova ka ngecur në të gjitha fushat”
Haxhiu akuzoi qeverinë aktuale për mungesën e projekteve madhore në fusha kyçe si shëndetësia, arsimi dhe sporti, duke theksuar se shumë projekte të buxhetuara nga qeverisja e kaluar kanë mbetur të papërfunduara.

“Me një buxhet prej 12 miliardë eurosh për katër vite, kjo qeveri nuk ka arritur të përfundojë asnjë projekt madhor,” tha Haxhiu. Ai shtoi se degradojnë sektorë jetikë si shëndetësia dhe arsimi, ndërsa PDK-ja synon t’i rikthejë prioritetet vendit.

Optimizëm për fitoren e PDK-së
Haxhiu u shpreh optimist për përkrahjen e qytetarëve dhe theksoi se kandidatët e PDK-së janë pritur jashtëzakonisht mirë në takimet e zhvilluara gjatë fushatës. “Kemi kandidatin më të mirë për kryeministër dhe qytetarët e kanë provuar Bedri Hamzën si ministër të Financave. Ai gjithmonë i ka mbajtur premtimet e tij,” përfundoi Haxhiu.

Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 pritet të jenë një garë e ashpër mes partive politike, me PDK-në që synon të rikthehet në pushtet duke ofruar një alternativë të re për qeverisjen e Kosovës./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë