Përparim Gruda, vlerë e shtuar në listën e kandidatëve për deputet të PDK-së
Përparim Gruda, profesor i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik në Mitrovicë, është një personalitet i njohur për angazhimin e tij të thellë në fushën e drejtësisë dhe shkencës.
Ai ka përfunduar studimet bachelor dhe master në juridik, ndërsa ka doktoruar në të drejtën kushtetuese. Me përkushtim të madh ndaj arsimimit dhe zhvillimit shkencor, Gruda ka përfunduar dy specializime post-doktorature në Universitetin e Gracit në Austri dhe ka kryer hulumtime si Fulbright Visiting Scholar në Universitetin e Washingtonit në SHBA, transmeton portali DrenicaOnline.
Si autor i dy librave universitarë dhe një monografie shkencore, përveç dhjetëra punimeve shkencore të botuara, Gruda ka dhënë një kontribut të madh në fushën e drejtësisë kushtetuese. Ai është gjithashtu pjesëmarrës aktiv në projekte shkencore, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Pjesëmarrja e tij si kandidat për deputet në listën e PDK-së është një mundësi për Kuvendin e Kosovës të përfitojë nga përvoja dhe ekspertiza e tij. Përkushtimi i tij ndaj drejtësisë dhe shkencës, bashkë me personalitetin e tij të urtë, të mençur dhe të guximshëm, e bëjnë Përparim Grudën një kandidat të respektuar dhe të merituar./DrenicaOnline/