Sejdi Hoxha: Rritja e pagave që nuk mban hapin me inflacionin është mashtrim
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sejdi Hoxha, ka reaguar ndaj vendimit të kryeministrit Albin Kurti për rritjen e pagave që do të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm. Hoxha kritikoi këtë vendim, duke theksuar se një rritje e pagave që nuk e ndjek inflacionin është thjesht “mashtrim në letër” dhe krijon një iluzion të përmirësimit pa ndikuar realisht në jetën e qytetarëve, transmeton DrenicaOnline.
“Kur pagat rriten më pak se inflacioni, çdo rritje pagash është veçse një mashtrim në letër,” u shpreh ai, duke vënë theksin te sfidat e përditshme të qytetarëve për të përballuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre ekonomike.
Hoxha përmendi gjithashtu një krahasim me Shqipërinë, duke thënë se një mësues atje fiton rreth 950 euro, ndërsa në Kosovë situata është më e pafavorshme. Ai theksoi se kërkesa për dinjitet në punë dhe jetë nuk është luks, por një e drejtë themelore./DrenicaOnline/