Sejdi Hoxha: Raporti i Bankës Botërore përputhet me kritikat e opozitës për sektorin e energjisë dhe ujit
Në një intervistë për emisionin e mëngjesit në Klan Kosova, zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sejdi Hoxha, theksoi se raporti i fundit i Bankës Botërore ka konfirmuar shqetësimet që PDK dhe partitë opozitare kanë ngritur në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Hoxhës, raporti prek dy nga problemet kryesore që ka adresuar opozita në seancat e fundit parlamentare: sektorin e energjisë dhe atë të ujit, transmeton portali DrenicaOnline.
Hoxha vuri në pah se Banka Botërore ka kritikuar mungesën e zhvillimit në sektorin e energjisë, përfshirë mungesën e përmirësimeve në prodhimin e energjisë dhe investimeve në infrastrukturën teknike të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ai gjithashtu denoncoi ndikimin politik në menaxhmentin e KEK-ut.
Çështja tjetër që u diskutua nga Hoxha lidhej me sektorin e ujit, ku ai akuzoi se janë falur miliona euro kompanive të ambalazhimit të ujit në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas Hoxhës, këto kritika nuk janë pjesë e “luftës hibride,” por janë probleme reale që Banka Botërore i ka identifikuar./DrenicaOnline/