Naim Gjeli: PDK duhet të garojë me figura të forta si Ramiz Lladrovci

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Naim Gjeli, ka dhënë mendimin e tij publik në lidhje me zhvillimet brenda degës së partisë dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të tetorit 2025. Ai thekson se PDK-ja duhet të tregojë vendosmëri dhe qartësi në përzgjedhjen e kandidatit për kryetar komune.

“Ramiz Lladrovci nuk ka qenë politikan i zakonshëm, por një menaxher i shkëlqyer. Suksesi i Drenasit në nivel vendi nuk ka qenë rastësi, por rezultat i refuzimit për të qenë nën ndikimin e grupeve të interesit,” shprehet Gjeli.

Duke u ndalur në situatat e mëparshme në komuna si Mitrovica dhe Vushtrria, ai kritikon përzgjedhjen e figurave të dobëta që nuk merrnin vetë vendime, por udhëhiqeshin nga prapaskena: “Nuk ka më vend për kukulla. Gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten,” thekson ai.

Sipas Gjeli, PDK duhet të garojë me figura të fuqishme dhe të pavarura si Ramiz Lladrovci për të ruajtur fitoren në Drenas dhe për të forcuar besimin qytetar në prag të zgjedhjeve qendrore. Ai u bën thirrje të gjithë anëtarëve dhe qytetarëve që e duan komunën dhe partinë, të përkrahin kandidatura që i sjellin nder dhe jo dëm PDK-së.

“Koha është për vendime të qarta dhe të drejta,” përmbyll ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë