Një natë dhe një ditë e ankthshme

Shkruan: Dr.Lulzim Nika

Sot kujtojmë Masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, të 28 shkurt 1999, me nderim dhe dhimbje të madhe, për aktin e tmerrshëm të gjenocidit, të shkaktuar nga makineria serbe. Me nderim të thellë dhe krenari, kujtojmë gjithë dëshmorët dhe martirët e lirisë në Likoshan dhe Qirez, dhe në krejt Kosovën.

Krimet serbe në Kosovë janë ende të pa ndëshkuara nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare. Më 28 shkurt 1998, policia serbe vrau 24 shqiptarë në Likoshan dhe Qirez të Drenicës, prej të cilëve 20 ishin civilë.

Pas masakrës së kryer nga shteti serbe në Likoshan dhe Qirez më 28 shkurt 1998, lufta e lavdishëm e UÇK-së nuk mund të kishte më kthim pas, deri në çlirimi e Kosovës. Atë ditë breshër armësh u ndëgjuan nga katër anët e atyre fshatrave. Helikopteri qëllonte pa asnjë kontroll në të gjitha drejtimet.

Pas një kohe të gjatë, në mbrëmje, arritëm në malin e Lagjes Krasniqi të Gllanasellës dhe aty takuam edhe shumë burra dhe veprimtarë.
Që andej dukeshin gjatë gjithë ditës sesi arrinin forca të blinduara ushtarake serbe drejt Likoshanit dhe Qirezit. Askush nuk dinte saktë për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve.

Në ditën e nesërme forcat serbe zunë të tërhiqen duke lënë pas vetes gjurmët e krimeve dhe të gjenocidit që kishin ushtruar ndaj popullatës civile shqiptare.

Kurrë në jetën time nuk do ta harroj atë ditë. Aty do ta takoj veprimtarin Adem Gashi bashkë me Jakup Krasniqin, Shaban Shalën, Hafir Shalën kur hymë në odën e Sejdijajve dhe pamë katër vëllezërit Sejdiu të vrarë. Hapu moj tokë!

Derisa prindërit u qëndronin te koka duke pritur dhe përcjellë njerëz nga anë e anës së Kosovës me një qëndrim fisnik e burrëri të paparë. Nuk na bënte punë goja as sa për të shqiptuar një ngushëllim.

Dr. Hafir Shala bëri përpjekje të pamundura që të ndihmonte dhe ta shpërndante lajmin për masakrën, për krimet serbe, tutje opinionit ndërkombëtar edhe përkundër faktit se kishte mungesë të mjeteve elementare. Ai bëri të mundur identifikimin e plagëve vdekjeprurëse.

Adem Gashi, në këtë kohë ishte drejtor i RTK (Programit satelitor) që transmetohej nga TV shqiptar, bënte përpjekje që sa më shpejt ta shpërndante të vërtetën para opinionit ndërkombëtar lidhur me krimet serbe kundër civilëve shqiptarë në Likoshan dhe Qirez.

Dikur, si në një vorbull, humba përqendrimin nga marramendja sa nuk e dija në ishte natë apo ditë.
Sidoqoftë ishte diçka e ankthshme midis një nate e një dite shkurti, që dukej sikur me valët e erës shpërndante dhimbje, trishtim e pikëllim të pafundmë.
A do të vinte edhe një ditë tjetër pas asaj tragjedie!?

I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi për dëshmorët dhe martirët e Likoshanit dhe Qirezit.

Lavdi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë