“Donte të qëllonte shoferin…”/ Hakmarrja për plagosjen e së bijës në vendin ‘ku krimet s’lahen vetëm me burg’

Në shtëpinë e Islam Metës, një bletërritës nga fshati Shlli i Matit ka rënë heshtja. Në banesë ndodhen gratë e familjes dhe fëmijët të cilëve në derë u rrinin 2 punonjës policie që u garantonin sigurinë pasi i druhen një hakmarrjeje.

Një ditë më parë i zoti i kësaj shtëpie Islam Meta vrau bashkëfshatarin e tij Petrit Kuka pasi ky i fundit në vitin 2013 kishte plagosur me armë zjarri të bijën dhe kunatën e tij.

Kjo ngjarje nuk u shua as me dënimin e autorit dhe as me kalimin e gati një dekade.

Mëngjesin e së dielës Islam Meta dhe Petrit Kuka u përballën me njëri-tjetrin në fshatin Vig. Sipas familjarëve ky takim ishte i rastësishëm por përfundoi tragjikisht pasi Islami qëlloi me armën e gjahut drejt Petrit Kukës duke e lënë të vdekur në vend.

Kuka pas daljes nga burgu për plagosje nuk jetonte më në Shelli por ishte zhvendosur së bashku me 3 fëmijët dhe bashkëshorten në Durrës.

Për motivet e këtij konflikti që në një dekadë numëron 3 plagosje dhe një viktimë nuk flet askush. Policia thotë se Petrit Kuka kërkonte vajzën e Islamit dhe kur kjo u fejua ai e plagosi. Ndërsa gratë e familjes kanë një tjetër version.

“Nuk kishte probleme me vajzën. Donte të qëllonte shoferin e furgonit po kapi vajzën dhe kunatën. Islami i çoi haber të mos i dilte para. Pse vjen në fshat ai kur s’ka as grua as fëmijë këtu. Shteti ta shohë se Islami s’ka asnjë faj”, tha ajo.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë