Këta janë të arratisurit që ranë në ‘gropën’ e Antidrogës, u kapën te shtëpia ku strehoheshin

Antidroga e Policisë së Kosovës pas një hetimi disa mujor ka zhvilluar një operacion policor në Prishtinë, të koduar si “GOLFI”, ku janë kapur edhe dy persona të dyshuar për shitblerje të substancave narkotike.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të arrestuarit që përfunduan në ndalim policor janë: Sh.Mehmeti dhe G.Mehmeti.
Siç njoftoi Policia të dyshuarit janë kapur në vazhdën e hetimeve dhe vazhdimit të realizimit të operacionit të antidrogës të koduar me emrin “Golfi”, sot me datën 15.01.2024.
Njësia e antidrogës në Prishtinë ka arritur t’i lokalizojnë dy personat e dyshuar që ndodheshin në arrati dhe ndodheshin në kërkim nga data 13.01.2024.
“Gjatë një operacioni taktik sot reth orës 14:00 Njësia e antidrogës në Prishtinë në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin G.M., në brendi të shtëpisë së cilën strehohej, kurse Sh.M. është arrestuar në një shtëpi afër gjatë tentim arratisjes”.
“Në lokacionin/shtëpinë në të cilën ishin duke u strehuar të dyshuarit janë gjetur dëshmi/prova relevante si në vijim: një revole me një karikator dhe 16 fishek, tre karikator të armës AK-47, një lidhëse e Trombllonit, dy pajisje për pastrim të armës, si dhe një qese me narkotik të dyshuar të llojit Mariuhan me peshë 6.4 gramë”, thuhet në njoftimin e Policisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit Sh. M. dërgohet në burg për vuajtje të dënimit prej dy vite e gjashtë muajsh, kurse i dyshuari G.M. dërgohet në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.
Në aksionin që ka nsiur dje Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht edhe për ndalimin e F.Halimit dhe Y.Abdullahut, të dyshuar po ashtu për shitblerje të substancave narkotike.
Siç njoftoi Policia, ngjarja ndodhi në rrugën “Ernest Koliqi” ku është ndaluar një veturë dhe gjatë kontrollit të dyshuarit iu janë gjetur 1100 euro dhe 3 telefona, teksa kur kanë arritur njësitet policore në shtëpinë e të dyshuarit, aty kanë qenë edhe dy persona tjerë.
Tutje Policia shtoi se njëri nga të dyshuarit ka filluar të ikë dhe ka gjuajtur në oborrin e fqinjit një qese me drogë, teksa është kapur më pas.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata