“Blerje votash”, “nuk zhvillohet shteti me ndihma”: Reagime për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët

Duket se me pahir dhe deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, mendon që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është bërë Babadimër pas ndarjes së mjeteve financiare me vlerë 100 euro për fëmijët dhe për pensionistët. Njëjtjë si Abrashi, por të bindur, mendojnë edhe zyrtarët e partive opozitare. Për ta, shteti e ekonomia nuk mbahet me ndihma siç po vepron Qeveria Kurti.

Kanë filluar menjëherë reagimet e shumta në rrjetet sociale për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe për pensionistët.

Ky vendim edhe po kritikohet për shkak që sipas tyre, shteti nuk mund të mbahet me “ndihma”

Koordinatori i PDK-së për Financa, Arben Mustafa, ka thënë se Qeveria Kurti deri më tani i ka braktisur pensionistët dhe nuk ua ka rritur pensionet pavarësisht rritjes së çmimeve.

“Duke hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës, Albin Kurti po i kthehet edhe një herë instrumentit të tij të vetëm ekonomik – atë të dhurimit të 100 eurove. Kësaj here paska vendosur t’ia dhurojë nga 100 euro pensionistëve, të cilët i braktisi në kushtet e rritjes kaq të madhe të çmimeve, duke refuzuar t’ua rritë pensionet. Tani, me këto 100 euro të njëhershme po synojka t’ua përmirësojë jetën! Kjo është mënyra kryesore se si po e shpenzon buxhetin kjo qeveri!” – ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se qeveria nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme por qytetarë i mban të varur me ndihma simbolike.

“Mbanë qytetarët të varur nga ndihmat simbolike të kohëpaskohshme, por nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme për asnjë kategori të qytetarëve.Ky është mentalitet i qeverisjes në varfëri, ku qytetarët mbahen të varur nga shtrirja e dorës me ndonjë qindarkë kohë pas kohe nga qeveria.Për pensionistët nuk mjafton mbështetja për ta festuar Vitin e Ri, por duhet mbështetje që ua mundëson përballimin e shpenzimeve të përditshme të cilat janë bërë të papërballueshme!” – përfundon shkrimi i tij.

Edhe zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, është i mendimit që shteti nuk mund të zhvillohet me ndihma.

Bile për Rukiqin ndarja e 100 eurove është blerje e votës.

“Blerja e votës vazhdon, me mjete të taksapaguesve, përmes vendimeve të Qeverisë.Nuk e ka bërë asnjë investim në arsim, shendetësi, çerdhe, rrugë, energji. Mjetet e pashpenzuara ku duhet, po i shpërndan për të blerë vota. Ne të njejtën kohë, ka perkeqësuar ambientin për biznes dhe për investime. SHTETI NUK ZHVILLOHET ME NDIHMA.” – ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq, ish-drejtori i Institutit GAP, Agon Demi, ka kritikuar vendimin e Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe për fëmijët.

Demi ka thënë se Qeveria Kurti nuk po identifikon familjet që kanë nevojë për shumën prej 100 eurove dhe këtë ndarje po e bëjnë “shabllon”.

Më tej, ai ka thënë se këto ndarje tregojnë që Qeveria Kurti po qeverisë me librin e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi.

“Babadimri në formë të 100 eurove. Kjo qeveri as nuk është ka lodhet fare së paku me i identifiku familjet që kanë më së shumti nevojë për ato 100 euro. Po ja fusin shabllon, pse me u lodhë. Vetëvendosje e urren Hashim Thaçin, por fatkeqësisht është ka qeverisë me ‘libër’ të tij.” – ka shkruar Demi në Facebook.

Si do të shpërndahen këto mjete?

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nuk do të ketë nevojë për ndonjë aplikim, por ato do të bëhen në mënyrë për krejt aplikuesit që janë në skema.

“Sa i përket këtyre dy masave nuk ka nevojë për aplikim për ata që janë ekzistues në skema. Të gjithë pensionmarrësit këtë të premte do të marrin pensionet e rregullta, ndërsa ditët në vijim pas përgatitjeve teknike do të njoftohen se kur do të bëhet transferi për shtesën prej 100 euro. Poashtu edhe për nënat dhe prindërit që marrin shtesa për fëmijët, do të njoftojmë me kohë pra gjatë ditëve në njoftim se kur do të procedohet shtesa prej 100 euro e njëhershme për të gjithë fëmijët në kuadër të shtesës së rregullt që ata i marrin shtesat për fëmijët. Transferi bëhet në llogarit ekzistuese.” – ka thënë Murati.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë