Punëtorja e fabrikës “Toni” dërgohet me urgjencë në spital, ra në kontakt me rrymën

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë. Një rast i tillë i lëndimit në punë ka ndodhur edhe gjatë ditës së sotme në Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një punëtore e fabrikës “Toni”, derisa ka qenë duke punuar, ka pasur kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë ka marrë lëndime trupore, për çka u dërgua me urgjencë në spital.
Viktima, e moshës 21-vjeçare është lënduar dhe është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë në vendin e punës”.