Ky është i dyshuari që gjuajti me AK-47 në Prishtinë, në veturën që e qëlloi ndodhej vëllai i tij dhe dy të tjerë

Të dielën në mbrëmje janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga një veturë në lëvizje në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë. Për motive akoma të panjohura një person dyshohet se ka shtënë me kallashnikov në drejtim të një veture tjetër, por nuk ka persona të lënduar. Fillimisht katër persona u intervistuan si të dyshimtë, ndërsa tashmë vetëm njëri prej tyre ndodhet në ndalim, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që është dërguar në mbajtje është D.Selimi, i cili dyshohet se kishte gjuajtur me AK-47, armë kjo që më pas e kishte hedhur në mbeturina.
Në veturën ndaj të cilës D. dyshohet se ka gjuajtur me armë kanë qenë tre persona, njëri prej të cilëve vëllai i tij, G., si dhe dy të tjerët F.Kalaja dhe K.Krasniqi. Këta të fundit janë paraqitur vet në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me atë që ka ndodhur.
Ndonëse rrethanat e rastit janë akoma të panjohura dhe nuk dihet se cili ka qenë motivi i incidentit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar sekuestrimin e veturës së të dyshuarit kryesor, si dhe ndalimin e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, hetimet kanë nisur në drejtim të dy veprave penale dhe brenda aftit ligjor do të ndërmerren edhe veprimet e tjera të nevojshme.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia, ndërsa s’janë dhënë më shumë detaje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin e bazuar se i njëjti kishte hedhur në një shportë mbeturinash një armë zjarri AK-47, me të cilën dyshohet se kishte shtënë në drejtim të një veture në të cilën ndodheshin tre persona. Njësitet policore kanë konfiskuar armën dhe 27-fishekë, ndërsa vetura e dëmtuar është sekuestruar për ekzaminim. Në stacionin policor janë paraqitur tre viktimat meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë qenë në veturë në momentin kur është shtënë në drejtim të veturës. Me vendim të prokurorit janë inicuar rastet e lartcekura ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.