Përfundon seanca dëgjimore ndaj Të dyshuarve për sulmin ndaj Valon Sylës, pritet vendimi

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, po qëndron të Pallati i Drejtësisë, prej ku ka dërguar fotografi, ku shihen të dyshuarit duke u larguar prej aty, nën përcjelljen e policisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’. Lidhur me vendimin për caktimin e masës, pritet të vendos gjyqtari i procedurës paraprake.



Gazetari Valon Syla rreth mesnatës u sulmua nga disa persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor, nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.
Syla paraprakisht ishte në emisionin Pressing në T7, ku është analist. Temë diskutimi ishte debati që ka shkaktuar nisja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale Hagë.
Sulmin e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por edhe organizata më e madhe e gazetarëve në Europë.