Bylykbashi: Në Drenas ka keqmenaxhim të parasë publike

“Ndonëse kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci flet për menaxhim të mirë të parasë publike dhe ndaljen e keqpërdorimeve, raporti financiar për vitin 2017 e tregon të kundërtën”. Kështu thotë asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sokol Bylykbashi.
“Pasqyrat financiare për vitin e kaluar tregojnë shuma të mëdha të mjeteve financiare të shpenzuara për mallra dhe shërbime. Shpenzimet enorme për dreka zyrtare (11,529.03 euro), karburant (30,472.59 euro) dhe telefon (7,652.68 euro) kanë ndodhur për shkak se vitin e kaluar kishim dy palë zgjedhje. Mjetet financiare komunale janë përdorur për të bërë fushatë elektorale për PDK-në”, thotë Bylykbashi duke paraqitur edhe tabelën 1 për shpenzimet financiare 2017.
Sipas tij, edhe në vitin fiskal 2016 kishte shpenzime të mëdha për dreka, karburant dhe telefon, sidomos në periudhën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale, që u mbajtën me 4 dhe 18 dhjetor.
“Në dy tabelat financiare, mund të shihet sesi janë rritur shpenzimet për dreka, karburant dhe telefon në muajin dhjetor. Për dreka deri në muajin nëntor ishin shpenzuar 6,296.69 euro, ndërsa në dhjetor janë shpenzuar 3,294 euro. Për karburant deri në muajin nëntor janë shpenzuar 23,638,17 euro, ndërsa në muajin dhjetor janë shpenzuar 7,318 euro. Për telefon deri në muajin nëntor janë shpenzuar 2,188,5 euro, ndërsa në muajin dhjetor janë shpenzuar 4,760 euro”, ka deklaruar ai, duke postuar edhe tabelën 2 për raportin financiar janar- nëntor 2016 dhe tabelën 3 për raportin financiar janar-dhjetor 2016.