Pamje gjatë ikjes së klientëve nga HIB, pasi dy persona lëshuan substanca të panjohura (VIDEO)
Disa qytetarë të cilët po qëndronin në restorantin e pompës së derivateve ‘HIB Petrol’ në Gjilan, mbrëmë pas mesnate janë përballur me një ngjarje të pazakontë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se klientëve që ndodheshin aty kanë filluar t’u shfaqeshin telashe shëndetësore duke pasur vështirësi në frymëmarrje dhe të vjella.
E gjithë kjo ndodhi për shkak të një arome të pakëndshme e cila kishte filluar që të ndihej pa pritur, gjë e cila ka bërë që stafi i restorantit të ndërpresë punën.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë evakuuar qytetarët e pranishëm. Po ashtu atje ka shkuar edhe ekipi mjekësor i Emergjencës, të cilët u kanë ofruar ndihmë nëntë personave të cilët ishin në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë deklarata nga dëshmitarët e rastit, të cilët pohojnë se kanë parë dy persona të panjohur teksa kanë hedhur substanca të dyshimta. Po ashtu janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë që monitorojnë atë zonë. (Video poshtë reklamave)
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.