Përballjet në mes të Barcelonës dhe Real Madridit gjithmonë dhurojnë emocione të veçanta, pavarësisht se në çfarë rrethanash apo forme gjenden këto dy ekipe.
Të shtunën me fillim nga ora 16:15, në tempullin “Camp Nou” do të zbresin dy klube, që e kanë pushtuar futbollin në dekadën e fundit, dhe jo vetëm. “Blaugrana” vjen në këtë takim pas barazimit me Real Sociedadin, që e bën skuadrën e Luis Enriques të jetë gjashtë pikë larg liderit, Real Madridit.
Madrilenët u shkëputën falë fitores 2:1 përballë Sporting Gijonit, transmeton KTV.
Vitin e kaluar, katalunasit fituan në shtëpi të kryeqytetasve bindshëm 4:0, por në ndeshjen e kthimit u mposhtën nga “Los Blancos”, 1:2.
Sa i përket statistikave, Barcelona ka arritur t’i fitojë 29 nga 32 përballjet e fundit në shtëpi, teksa Real Madridi nuk është mposhtur në 25 takimet e fundit në të gjitha garat.
Në 172 takimet përballë njëra tjetrës në La Liga, Real Madridi prin me 72 fitore krahas 68 të Barcelonës, ndërsa 32 prej tyre përfunduan me barazim.
Golashënuesi më i mirë i “El Clasicos” mbetet Lionel Messi me 21 gola, mirëpo “pleshti” nuk ka arritur të shënojë në pesë derbit e fundit.
Nga ana tjetër, fituesi i kampionatit evropian me Portugalinë, Cristiano Ronaldo, në total, Barcelonës i ka shënuar 16-të gola, 10 prej të cilëve në Camp Nou.
Në formacionet e gjigantëve spanjoll pritet të ketë edhe mungesa, gjë që mund t’ia humb hijeshinë superderbit botëror.
Te Barcelona pritet rikthimi i Andres Iniestas i cili vuan nga lëndimi i gjurit. Nga ana tjetër, te kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Gareth Bale do të mungojë për shkak të lëndimit në thembër, ndërsa poashtu pritet të mungojnë edhe Toni Kroos, Fabio Coentrao dhe Danilo, por se lajmi i mirë vjen në mesfushë aty ku është rikthyer braziliani Casemiro, i cili u paraqit në mesjavë në Kupën e Mbretit.