“Ju flet Kosova e lirë”, Pllana tregon si erdhi deri themelimi i Radio Kosova e Lirë
Gazetari Nusret Pllana, ka folur rreth ditës kur 24 vjet më parë nisi punën Radio Kosova e Lirë, ku edhe sqaroi fjalinë “Ju flet Kosova e lirë”, e cila është e njohur dhe e dëgjuar nga të gjithë.
Ai tha se tash, 24 vjet pas, dita e themelimit të Radio Kosova e Lirë i sjell emocione të përziera, pasi sipas tij, ky radio-stacion, ishte institucioni i vetëm informativ për vijën e parë të frontit.
“Janë emocione të përziera sepse më kujtohet si sot 4 janari i vitit 1999. Ishte dimër i madh dhe prisnim edhe më herët që të startojmë me këtë radio-stacion të vetëm të luftës të UÇK-së, bashkë me motrën e saj, agjencinë e lajmeve Kosova Press sepse të dyja janë themeluar për një ditë”.
“Kanë qenë të vetmet institucione informative të vijës së parë të fronit dhe sa herë vije 4 janari na ngjallë kujtime të mira e të hidhura sepse lufta sjell gjëra të këqija në përgjithësi, por në megjithatë ajo luftë ka qenë titanike e UCK-së, luftë e pastër si kristali, luftë që pas 2 mijë vjetësh ia ktheu krenarinë këtij populli të vuajtur e liridashës”, është shprehur ai në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se vendimi për themelimin e Radios Kosova e Lirë ishte meritë ekskluzive e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, teksa shtoi se kushdo që tenton t’i merr meritat mbi vete, gabon.
“Ky ka qenë vendim i tyre dhe përpjekjet e Shtabit kanë qenë që qysh në vitin 1998 të startohet me programet e Radios Kosova e Lirë por për fat të keq atëherë në mungesë të kuadrove të mjaftueshme është shtyrë nisja e programeve”, është shprehur ai, njofton Klankosova.tv
Tutje, ai tha se nisja e punës së Radio Kosova e Lirë është shtyrë edhe për dy javë të tjera, në mënyrë që fjalinë “Ju flet Kosova e Lirë”, ta thoshte Shqipe Jashari, e bija e komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Bile, unë kam insistuar që edhe dy javë të shtyhet nisja, pasi atë fjalë – më të bukurën të mirëpritur nga populli ynë, ta thotë bija e komandantit legjendar Adem Jashari, Shqipe Jashari. Dhe, kanë pritur edhe dy javë që ta sjellin Shqipen dhe ajo të thotë “Ju flet Kosova e lirë”, të mos e ketë atë privilegj askush tjetër përveç saj, por ishin luftëra të tmerrshme, ajo pjesë e familjes së komandatit legjendar ndodhej diku në fshatin Oshlan të Vushtrrisë. U përpoqën udhëheqësit e ushtrisë sonë ta sjellin Shqipen, nuk mundën dhe ne filluam me 4 janar”, është shprehur Pllana, njofton Klankosova.tv.