Shtatë persona vdiqën gjatë janarit, qindra të tjerë u lënduan në komunikacion

Viti 2018 ka filluar me numër më të madh të aksidenteve që kanë përfunduar me fatalitet. Krahasuar me janarin e vitit të kaluar numri i të vdekurve nga aksidentet është dyfishuar. Vetëm gjatë janarit në Kosovë kanë vdekur 7 persona, janë lënduar 972 të tjerë.
Statistikat e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se gjatë janarit të vitit 2017 në komunikacion humbën jetën 3 persona, ndërsa gjatë janarit 2018 humbën jetën 7 persona, shkruan Express.
Në total ndodhën 1278 aksidente nga të cilat u lënduan 972 persona. Ndërsa vitin e kaluar lëndime kanë pësuar 831 persona.
Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës ka shqiptuar 30397 gjoba për shoferët që nuk kanë respektuar rregullat e trafikut.
Policia vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion. Për të rritur sigurinë në trafik në fuqi ka hyrë edhe Ligji i ri i komunikacionit që parasheh gjoba më të larta.