E preku dhe e puthi me zor 11-vjeçaren në një pyll të Drenasit, gjykata ia cakton paraburgimin të dyshuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim personit që dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur në Gllanasellë të Drenasit, para dy ditësh. Gazeta Sinjali ka raportuar se viktima e këtij rasti është një 11-vjeçare, të cilën i dyshuari e ka prekur e ledhatuar me zor në një pyll.

Ndaj të dyshuarit, A.K., gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata thotë se  “ka marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston  rreziku që i njëjti do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo edhe të falsifikojë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtin në përsëritjen e veprës penale”.

Kjo ngjarje e trishtë dyshohet se ka ndodhur në një pyll, në orët e mbrëmjes së 12 dhjetorit, me ç’rast vajza e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer për atë që kishte ndodhur. Si rezultat i raportimit të rastit, e mitura është dërguar në QKUK për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa Policia është vënë në veprim.

Personi i dyshuar është arrestuar nga zyrtarët policorë dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet. Me t’u përfunduar procedurat policore, i njëjti ishte dërguar në mbajtje për 48 orë dhe më pas është bërë kërkesë për masën e sigurisë.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual ose e cyt personin e tillë të prekë kryesin apo personin tjetër për qëllim seksual, pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vjet.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë