Policia jep detaje për aksidentin mes një veture dhe trenit në Fushë Kosovë, një person i lënduar
Një aksident trafiku është regjistruar rreth orës 14:00 në Fushë Kosovë, ku një veturë është përplasur me një tren.
Sipas Policisë së Kosovës, nga aksidenti një person ka mbetur i lënduar dhe ka marrë trajtim mjekësor, transmeton IndeksOnline.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, bëri të ditur se menjëherë pas pranimit të njoftimit, njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 14:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në Fushë Kosovë. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një tren. Sipas informatave fillestare, lëndime ka pësuar një person, i cili ka pranuar tretman mjekësor. Me rastin po merret Trafiku Rajonal”, deklaroi Pllana.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan deri te ky aksident.

