Driton Ajazi: Dështimi i seancës për ujin e pijes, në dëm të qytetarëve të Drenasit
Shefi i Grupit të Asambleistëve të PDK-së në Drenas, Driton Ajazi, ka reaguar pas dështimit të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, e cila ishte thirrur për të diskutuar mungesën e ujit të pijes në komunë.
Sipas Ajazit, seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit, ndonëse në të morën pjesë të gjithë anëtarët e Grupit të Asambleistëve të PDK-së dhe asambleisti i pavarur, Mehedin Salihu.
Ai theksoi se mungesa e ujit të pijes është një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve të Drenasit dhe se kjo çështje nuk duhet të trajtohet përmes prizmit politik, pasi prek drejtpërdrejt jetën dhe mirëqenien e çdo familjeje.
“Kur bëhet fjalë për furnizimin me ujë të pijes, nuk duhet të ketë ndarje politike, sepse nevoja për ujë është e përbashkët për të gjithë”, ka deklaruar Ajazi.
Tutje, ai ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim ndërmjet të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur, duke theksuar se interesi i qytetarëve duhet të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër.

