Dështon seanca e jashtëzakonshme për krizën e ujit në Drenas, mungon iniciuesi dhe nënshkruesit
Ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Drenasit, e thirrur për të diskutuar gjendjen e furnizimit me ujë në komunë, transmeton portali DrenicaOnline.
Seanca ishte paraparë të niste sot në ora 11:00, por nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të mungesës së kuorumit. Ajo që ra në sy ishte fakti se asnjëri nga asamblistët nënshkrues të kërkesës për thirrjen e kësaj mbledhjeje nuk ishte i pranishëm në sallë, përfshirë edhe iniciuesin e saj, asamblistin Artian Krasniqi.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Burim Bujupi, pasi e hapi mbledhjen, njoftoi se nuk ekziston kuorumi i nevojshëm për fillimin e punimeve.
“Për fat të keq, nuk janë të pranishëm as nënshkruesit e kërkesës për seancë të jashtëzakonshme dhe as vet iniciuesi i saj, Artian Krasniqi, prandaj nuk mund të vazhdojmë me mbajtjen e seancës”, tha Bujupi.
Komuna e Drenasit kishte njoftuar më herët se mbledhja e jashtëzakonshme ishte thirrur me kërkesë të një grupi asamblistësh dhe kishte për qëllim diskutimin e gjendjes aktuale të furnizimit me ujë, shkaqeve të ndërprerjeve, përgjegjësive të operatorit KRU “Prishtina”, si dhe masave urgjente e afatgjata për zgjidhjen e problemit.
Kjo seancë ishte thirrur në bazë të kërkesës së dorëzuar më 15 qershor 2026 nga anëtarët e Kuvendit Komunal./DrenicaOnline/


