Dr.Haki Jashari apelon për kujdes: Trotinetët elektrikë po rrezikojnë jetën e fëmijëve

Neurologu pediatrik, Dr. Haki Jashari, ka ngritur shqetësimin për numrin në rritje të lëndimeve të rënda tek fëmijët si pasojë e përdorimit të trotinetëve elektrikë, duke theksuar se javëve të fundit janë regjistruar raste serioze, madje edhe me përfundim fatal.

Sipas tij, trotinetët elektrikë nuk duhet të konsiderohen lodra, pasi mund të arrijnë shpejtësi të konsiderueshme dhe të shkaktojnë trauma të rënda në kokë, dëmtime të shtyllës kurrizore, fraktura dhe pasoja të përhershme për shëndetin e fëmijëve.

Dr. Jashari rikujton se përdorimi i trotinetëve elektrikë në rrugë publike nuk lejohet për personat nën moshën 16-vjeçare, megjithatë shpeshherë shihen fëmijë shumë më të vegjël duke i përdorur ato.

“Si mjek dhe prind, u bëj thirrje prindërve që të mos i konsiderojnë trotinetët elektrikë si lodra. Përdorimi i helmetës dhe pajisjeve mbrojtëse duhet të jetë i domosdoshëm, nëse paraprakisht është arritur mosha e lejuar”, ka theksuar ai.

Njëkohësisht, neurologu pediatrik u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të forcojnë zbatimin e ligjit, kontrollet në terren dhe fushatat sensibilizuese për parandalimin e aksidenteve.

“Çdo lëndim i rëndë, e sidomos çdo jetë e humbur, është një tragjedi që shpesh mund të parandalohet. Siguria e fëmijëve duhet të jetë prioritet i përbashkët i të gjithëve”, ka përfunduar Dr. Haki Jashari.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë