Isak Neziri falënderon mbi 14 mijë votuesit: Nuk arrita mandatin, por do të mbetem në shërbim të Kosovës
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Isak Neziri, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit, ndonëse kësaj radhe nuk arriti të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në një reagim publik, Neziri tha se në demokraci rregullat janë të njëjta për të gjithë, por jo gjithmonë gara zhvillohet në kushte të barabarta. Ai përmendi vështirësitë dhe pengesat me të cilat është përballur gjatë procesit zgjedhor, duke shtuar se disa individë kanë harxhuar më shumë energji kundër njëri-tjetrit sesa për fitoren e përbashkët të partisë.
“Unë si çdo herë tjetër u udhëhoqa nga dëshira dhe vullneti për t’i përfaqësuar qytetarët me dinjitet, për t’i shërbyer partisë me ndershmëri dhe për të dhënë kontributin tim për Kosovën”, ka shkruar Neziri.
Ai falënderoi 14,617 votuesit që i besuan votën, duke theksuar se ata janë pjesa më e mirë e kësaj gare dhe e tri kandidaturave të tij për deputet.
“Edhe pse kësaj radhe nuk arrita të jem pjesë e Kuvendit, faleminderit nga zemra secilit prej jush, 14,617 herë, për besimin që ma dhatë me votën tuaj. Jam përherë mirënjohës dhe përherë në shërbim të Kosovës”, u shpreh ai.

