Fadil Demaku falënderon votuesit pas sigurimit të mandatit: Do të jem zë i denjë në Kuvendin e Kosovës

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, i cili tashmë ka siguruar mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, ka falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit.

Përmes një mesazhi publik drejtuar anëtarëve, aktivistëve dhe mbështetësve të PDK-së nga Drenasi, mbarë Kosova dhe diaspora, Demaku u shpreh mirënjohës për votën e marrë, duke theksuar se falë mbështetjes së tyre do të përfaqësojë qytetarët në legjislaturën e re.

“Falë mbështetjes suaj, do të jem deputet në Kuvendin e Kosovës. Në këtë detyrë do të përpiqem të jem një zë i arsyeshëm dhe i denjë për vlerat që përfaqëson Partia Demokratike e Kosovës”, ka deklaruar Demaku.

Ai ka theksuar se do të angazhohet për forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe mirëqenien e qytetarëve, ndërsa ka vlerësuar se rrugëtimi i përbashkët me qytetarët është ndërtuar mbi besimin, sakrificën dhe përkushtimin për Kosovën.

Në fund, Demaku ka falënderuar të gjithë për mbështetjen, duke u shprehur krenar që është pjesë e këtij rrugëtimi politik dhe qytetar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë